Secondary Adv

Rriten ndjeshëm pagesat elektronike në 6-mujorin e parë të vitit 2025

Të dhënat më të fundit mbi tregun e pagesave tregojnë një zgjerim të dukshëm të përdorimit të instrumenteve elektronike gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025.

Tendenca e konsumatorëve dhe bizneseve shqiptare po lëviz qartë drejt kanaleve jo-cash, duke konsoliduar më tej orientimin drejt një ekonomie më moderne dhe transparente.

 

Numri total i pagesave të kryera përmes sistemit bankar arriti në 27.9 milionë transaksione, duke shënuar një rritje vjetore prej 24%. Në terma vlere, pagesat jo-cash u rritën me 13%, duke kapur shifrën e 3.475 miliardë lekëve. Ky zhvillim pasqyron jo vetëm zgjerimin e përdorimit të teknologjisë, por edhe një rritje të besimit të publikut tek shërbimet financiare formale.

 

Kartat e pagesës vazhdojnë të mbeten mjeti më i përdorur nga qytetarët për kryerjen e transaksioneve. Pagesat me kartë u rritën me 30% krahasuar me një vit më parë, duke përbërë 67% të totalit të pagesave. Në të njëjtën kohë, transfertat e kreditit online shënuan një rritje prej 23%, duke arritur në 19% të pagesave, çka dëshmon për rritjen e shpejtë të shërbimeve digjitale dhe zhvendosjen e përdoruesve drejt bankimit në distancë.

 

Një tjetër tregues i rëndësishëm është rritja e kartave aktive në treg. Numri i kartave të debitit dhe atyre të kreditit arriti në 1.572 milionë, duke regjistruar një zgjerim prej 4.1%. Ky fakt tregon se baza e përdoruesve të instrumenteve elektronike të pagesave po zgjerohet vazhdimisht.

 

Tendencat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 tregojnë se Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me objektivat e reduktimit të përdorimit të parasë në dorë. Rritja e pagesave elektronike jo vetëm që përmirëson efikasitetin e tregut financiar, por edhe ndihmon në formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës. /ekofin.al


Më të lexuarat